Ahmet Jonuzi, pesimist per shortin e Varshaves! | ||||
|
Sulmuesi kosovar Ahmet Jonuzi, që militon në radhët e skuadrës ukrainase Vorskla, e ka vlerësuar të vështirë Grupin D, në të cilin bën pjesë edhe kombëtarja shqiptare në kuadër të eliminatorëve të Evropianit 2012, që këtë herë do të mbahet në Poloni dhe Ukrainë. Jonuzi ka thënë se në hedhjen e shortit që u bë tri ditë më parë në Varshavë, ekipit shqiptar nuk i priu fati, për faktin se në grup ka skuadra të forta. Shqipëria në eliminatorët e “Euro 2012” do të luajë kundër Francës, Rumanisë, Bosnjë e Hercegovinë, Bjellorusisë dhe Luksemburgut. Kjo e fundit konsiderohet “autsajder”. “Aspak nuk jam i kënaqur me shortin e hedhur në Varshavë. Shqipëria do ta ketë të vështirë kualifikimin për Evropianin 2012, sepse në grup ka skuadra të mëdha evropiane siç janë: Franca, Rumania, Bosnja dhe Bjellorusia”, ka thënë Jonuzi. Ish-sulmuesi i Kosovës së Vushtrrisë, Ahmet Jonuzi, ka pohuar se e tërë kombëtarja duhet angazhuar maksimalisht që të ketë paraqitje dhe rezultate të mira në garat e eliminatorëve që nisin në muajin shtator. Ai beson se me punë gjithçka mund të arrihet. “Në futboll kurrë nuk i dihet. Ekipit shqiptar i mbetet që të punojë shumë, madje duhet kaluar mundësitë e veta, në mënyrë që të ketë paraqitje dhe rezultate pozitive në kuadër të eliminatorëve të ‘Euro 2012’. Pavarësisht se Shqipëria do të ballafaqohet me Francën dhe Rumaninë, Bosnjën e Bjellorusinë, me punë të madhe mund të arrihet objektivi i ekipit shqiptar: kualifikimi në Evropianin 2012”, ka theksuar Jonuzi. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 5839 |