Gjermani/ Altin Lala, lamtumirë futbollit | ||||
|
Altin Lala i jep fund karrierës si futbollist. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, që ka shkëlqyer si profesionist në Gjermani, duke luajtur për vite me radhë në nivele të larta është detyruar të varë këpucët në gozhdë për shkak të një dëmtimi serioz në gju. 36-vjeçari e mbyll në këtë mënyrë karrierën te ekipi i dytë i Bayern Munich, në të cilin u transferua gjatë verës që kaloi pas aktivizimit 14 vjeçar te Hannover-i. “Personalisht dua ta falënderoj Altinin dhe më vjen shumë keq që ai nuk do të jetë më në dispozicion të skuadrës. Pavarësisht moshës së Lalës, kur karriera e një lojtari merr fund për shkak dëmtimi të vjen gjithmonë keq. Ne te Bayern-i i urojmë shërim sa më të shpejtë dhe gjithë të mirat për të ardhmen”, tha trajneri Mehmet Scholl në faqen e klubit bavarez. Tekniku 41-vjeçar ishte personi që këmbënguli më tepër për ta afruar Lalën te skuadra e dytë e Bayern-it, duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm për eksperiencën që kishte, por edhe si një shembull për yjet e rinj në “Alianz Arena”. 36-vjeçari Lala, që mban edhe rekordin me 79 prezenca në Kombëtaren shqiptare ka luajtur vetëm tre ndeshje gjatë këtij sezoni në radhët e skuadrës së dytë të Bayernit. Tashmë ai do ti nënshtrohet një operacioni në Hannover, aty ku ndodhet edhe familja e tij, e për rreth pesë muaj do të punojë për rehabilitimin e gjurit. Me tërheqen nga futbolli të Altin Lalës, përfundon karriera e një prej lojtarëve më të spikatur shqiptarë, por edhe një prej emrave me të dashur në Gjermani. Kjo për faktin se Lala luajti nga viti 1998 deri më 2012-ën vetëm me ngjyrat e një skuadre, diçka që ndeshet gjithmonë e më rallë në futbollin modern. Në 181 ndeshje të Bundesligës me Hannoverin, Lala ka arritur të shënojë vetëm një gol. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4388 |