Ne fokus/ Shqiperi-Kosove “Lufte” per talentet | ||||
|
Synimi i Shqipërisë për të marrë talentet brenda Kosovës, duket se i ka dhënë startin një “lufte të ftohtë” mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe asaj të Kosovës. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) pati planifikuar të mbante një grumbullim të përfaqësueses U-19 të Kosovës më 3 dhe 4 prill, por ai është shtyrë për datat 11 e 12 prill, pikërisht në kohën kur Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka paralajmëruar se do të organizojë një kamping me talentet kosovarë po të kësaj grupmoshe (U-19) në Kosovë. Kampi i U-19 të Shqipërisë është paralajmëruar se do të mbahet nga 9 deri më 12 prill dhe nga zyrtarët e FSHF-së ishte konfirmuar shumë kohë më parë. Kjo përplasje datash, duket se ka ardhur me qëllim nga ana e palës kosovare, e cila nuk dëshiron largimin e talenteve të saj drejt përfaqësueses shqiptare, në një kohë që ajo vetë pret krijimin e kombëtares së saj në një periudhë të afërt. Kosova Trajneri i ekipit U-19 të Kosovës, Ramiz Krasniqi, thotë se grumbullimi që do të mbahet më 11-12 prill, ishte parashikuar të mbahej edhe në mars. Por, ai thotë se për shkak të kushteve të vështira klimatike është vendosur të mbahet më 11 e 12 prill. Ai ngul këmbë se vendimi për të mbajtur grumbullimin pikërisht në kohën kur trajnerët nga Tirana do të kërkojnë talente kosovare për ekipet kombëtare, nuk është bërë me qëllim, madje thotë të mos ketë ditur deri vonë se Shqipëria do të organizojë kamp në Kosovë. “Ky grumbullim ishte vendosur të mbahej në muajin mars, por për shkak të kushteve klimatike e kemi shtyrë për muajin prill, - deklaroi Krasniqi për gazetën Koha Ditore në Prishtinë. - Unë nuk e kam ditur se kur kishte parashikuar Shqipëria të zhvillonte një grumbullim në Kosovë, pasi këtë e kam marrë vesh shumë vonë. Por, kjo datë që kemi caktuar ne nuk është bërë me qëllim. Përkundrazi, ne kemi bashkëpunim të mirë me Shqipërinë”, ka thënë më tej ai. PA NJOFTIM Trajneri Ramiz Krasniqi pranon se do t’i mbetej hatri nëse FSHF-ja do të mbante një kamp në Kosovë pa lajmëruar më parë Federatën e Futbollit të Kosovës dhe pa bashkëpunim. E deri më tani, Federata Shqiptare nuk e ka kontaktuar Federatën e Kosovës. “Nuk na kanë njoftuar. Nuk mund të mbajnë kamp në Kosovë pa na lajmëruar, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i Federatës së Kosovës Eroll Saliu. - Ne presim që të na lajmërojnë për mbajtjen e këtij kampi. Ne nuk kemi ndërmend t’u nxjerrim ndonjë problem, por vetëm duhet të na njoftojnë”, ka thënë më tej ai. Saliu ishte shprehur edhe më herët kritik për iniciativat e FSHF-së për të mbledhur talentet kosovarë nëpër vendet evropiane. Grumbullimi i U-19 të Kosovës do të mbahet në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë dhe Krasniqi ka përzgjedhur 29 lojtarë. Ndryshe nga Federata Kosovare, ajo e Shqipërisë nuk ka dhënë shumë detaje për grumbullimin, që pritet të përfshijë dhe lojtarët e moshës 17-vjeçare. FSHF nuk ka zbuluar se si u ka bërë ftesa lojtarëve në Kosovë, meqënëse Federata Kosovare mohon të ketë pasur ndonjë kontakt për këtë punë. FSHF Drejtori i zyrës së talenteve pranë FSHF-së, Redi Jupi, thotë se nuk sheh asnjë pengesë në procesin e realizimit të këtij projekti. Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë që në të njëjtën kohë aktivitet pak a shumë të njëjtë do të mbajë dhe Federata e Kosovës. “Ne mund të marrim ndonjë futbollist nga kampi i Kosovës, por edhe ata (FFK-ja) mund të bëjnë të njëjtën gjë, - sqaroi Jupi. - Këtu ka bashkëpunim, nuk ka ndarje. Nuk shohim ndonjë problem që në të njëjtën kohë mbajmë kampin ne edhe Kosova, pasi unë nuk i dalloj Kosovën e Shqipërinë, janë një”, shtoi më tej ai. Me talentet e grupmoshës U-19 do të punojë ish-portieri Foto Strakosha, ndërkohë që me ata U-17, Xhemal Mustedanagiç. “Do të përzgjidhen futbollistët që mendojmë se do të dallohen për nga cilësia. U kemi bërë ftesë të gjithëve, futbollistëve të kampionatit të Kosovës, por edhe atyre që bëjnë karrierë jashtë Kosovës”, ka thënë Redi Jupi. Marre nga Balkanweb.com Set as favorite Bookmark Email this Hits: 5014 |