Futbollistat: Edhe ne e meritonim një vend! | ||||
|
Shumë futbollistë janë hidhëruar pse emri i tyre nuk ka figuruar në listën e më të mirëve për vitin 2009. Disa futbollistë mendojnë se Mentor Zhdrella e ka merituar, kurse ka edhe të tillë që mendojnë të kundërtën
Veton Zymberi
Prishtinë, 8 janar - Sulmuesi i KF Hysit, Enis Zaberxha, nuk është futbollisti i vetëm që është ndarë i pakënaqur pas shpalljes së sportistëve më të mirë. Top-golashënuesi më i mirë, Enis Zaberxha, ka menduar se ai e ka merituar të jetë futbollisti i vitit 2009. “Nuk kam idenë se si ta shpjegoj këtë padrejtësi. E kam merituar të jem më i mirë për vitin 2009, nëse bazohemi në lojërat që kam treguar. Në shumë ndeshje kam qenë vendimtar”, ka thënë Zaberxha. Ndryshe nga ai, disa futbollistë të Raiffeisen Superligës janë shprehur të dëshpëruar për mospërfshirjen në dhjetëshen më të mirë.
Fazliu: Është dashur të jam në top-dhjetëshe
Sulmuesi i FC Prishtinës, Astit Fazliu, i cili ka “shpërthyer” që në debutimin e tij me skuadrën “bardhekaltër”, është shprehur tejet i pakënaqur, pasi emri tij nuk ishte në dhjetëshen e më të mirëve. Kurse për futbollistin e vitit mendon se e ka merituar Mentor Zhdrella. “Mendoj se trajnerët e Superligës nuk kanë bërë përzgjedhjen e duhur. Unë e kam pritur se të paktën do të jam në dhjetëshen më të mirë, gjithmonë duke u bazuar në lojërat që kam treguar me Ferizajn dhe Prishtinën. Ndërsa sa i përket asaj se a e ka merituar Zhdrella epitetin e më të mirit, mund të them se me plot meritë e ka merituar”, ka thënë Astrit Fazliu.
Muja: E kam merituar, por e respektoj vendimin
Ashtu si sulmuesi Astrit Fazliu, edhe sulmuesi gjilanas Premton Muja ka shprehur pakënaqësinë se nuk është futur në mesin e më të mirëve për 2009-n. “Është vendim i trajnerëve dhe duhet të respektohet, por, për mendimin tim, e kam merituar të jam në dhjetëshe, pasi nuk më kanë munguar as paraqitjet e mira e as numri i golave të shënuara. Ndërsa mesfushori Mentor Zhdrella e ka merituar epitetin që ka marrë”, ka thënë Muja, i cili është pjesë e skuadrës së Drenicës.
Gashi: Golat po vendosin
Ndryshe nga Fazliu dhe Muja, mesfushori i KF Drenicës, Dukagjin Gashi, ka thënë se golat e shënuara po merren për bazë. Sipas mesfushorit, kapiteni i Besës, Haxhi Zeka, e ka merituar të jetë më i miri, pasi 99% e lojërave janë varur nga ai. “Unë në vitin e kaluar kam hyrë në mesin e më të mirëve pasi kam shënuar shumë gola, kurse këtë vit nuk kam hyrë pasi më munguan golat. Forma ime ka qenë e njëjtë dhe sigurisht se e kam merituar të jam në top-dhjetëshe. Sulmuesi Haxhi Zeka e ka merituar të jetë m` i miri, pasi 99% të takimeve të Besës janë varur nga ai”, ka thënë Gashi.
Dhjetë futbollistët më të mirë për vitin 2009
1. Mentor Zhdrella (Hysi) 2. Behar Maliqi (Prishtina) 3. Haxhi Zeka (Besa) 4. Ymer Xhaferi (KEK-u) 5. Enis Zaberxha (Hysi) 6. Elvis Osmani (Trepça) 7. Labinot Osmani (Hysi) 8. Fitim Krusha (Liria) 9. Roland Duraku (Liria) 10. Faton Zejnullahu (Flamurtari) Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3583 |