Premton Muja: I kemi borxh një titull Drenices | ||||
|
Sulmuesi i Drenicës, Premton Muja, ka thënë se Skenderaj meriton një titull: Kupën e Republikës së Kosovës ose titullin e kampiones. Muja, i cili pak ditë më parë ka vazhduar kontratën me skuadrën e Drenicës, beson se skuadra e tij mund ta çojë Kupën e Kosovës në Skenderaj. Drenicasit, pavarësisht se në fillim të garave u përforcuan me disa lojtarë të shquar, nuk arritën rezultate të kënaqshme në pjesën e parë të kampionatit. Sipas Mujës, Drenica në pjesën e dytë të garave do t’i kthehet paraqitjeve dhe rezultateve të mira. “Besoj se në stinorin pranveror do të jemi ndryshe nga sezoni vjeshtor. Ne me punën që do të bëjmë gjatë përgatitjeve dhe me fondin e lojtarëve që kemi, në pjesën e dytë të garave do të shfaqim paraqitje të mira, në mënyrë që t’i arrijmë rezultatet që ne kërkojmë”, ka thënë Muja. “Objektivi ynë primar në sezonin pranveror do të jetë fitimi i Kupës së Kosovës. I kemi borxh Skenderajt t’i sjellim njërin nga titujt: Kupën e Kosovës apo titullin e kampiones. Ne duhet dhënë maksimumin në garat e kampionatit, që ta arrijmë pjesën e epërme të renditjes tabelore”, ka thënë sulmuesi Premton Muja.
Pranvera do të sjellë futboll edhe më kualitativ
Sipas sulmuesit gjilanas, Premton Mujës, stinori pranveror do të jetë edhe më interesant se stinori vjeshtor. Ai pohon se tifozët e futbollit do të shohin futboll edhe më kualitativ. “Besoj se garat e stinorit pranveror do të jenë më interesante e më dinamike. Luftë e ‘nxehtë’ do të zhvillohet në të dy frontet: gara për titull si dhe gara për Kupën e Kosovës, prandaj jam i bindur se pjesa e dytë e kampionatit do të jetë më dinamike, për faktin se shumica nga skuadrat e elitës do të synojnë ta arrijnë njërin nga këta dy tituj. Mendoj se edhe kualiteti i futbollit por edhe shikueshmëria do të rriten”, ka përfunduar Muja.
Fatmir Bytyçi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3238 |