Erdogan Cilina: Me kënaqin 25 pikët | ||||
|
Rezultatet e arritura nga KF Liria në gjysmëstinorin e parë janë të kënaqshme. Mundësitë ishin për rezultate më të mira, por edhe pozita e pestë nuk është për t’u nënçmuar. Kështu ka thënë trajneri i skuadrës së Lirisë, Erdogan Cilina. “Pas rikthimit në Superligë s’kemi si mos të jemi të kënaqur me rezultatet e arritura në këtë gjysmë stinor. Kemi pasur mundësinë të marrim rezultate edhe më të mira, por edhe këto rezultate janë të kënaqshme. Nuk duhet të harrojmë se shumë nga skuadrat kanë qenë në nivel të duhur”, ka thënë Erdogan Cilina, trajner i KF Lirisë. Tekniku i skuadrës nga Prizreni ka shprehur mendimin se skuadra e tij ka nevojë për një futbollist të vijës së parë. Sipas tij, deri kah fundi i javës pritet që skuadra e Lirisë mos të hidhet në “gjah”. “Duhet të presim të kryhet edhe takimi i radhës për Kupë, pastaj ta shikojmë mundësinë e transferimit të ndonjë futbollisti. Sipas të gjitha gjasave, në do ta transferojmë vetëm një sulmues, pasi repartet e tjera janë më të kompletuara”, ka shtuar ai. Skuadra e Lirisë të mërkurën do të takohet me Prishtinën në kuadër të Kupës së Republikës së Kosovës në Futboll. Strategu i kësaj skuadre, Erdogan Cilina, ka shprehur besimin se djelmoshat e tij do të arrijnë ta mposhtin Prishtinën. “Çdo takim në Kupë është i vështirë, pasi edhe skuadrat e vogla luajnë mirë. Kundër Prishtinës do të jetë një takim i vështirë, për faktin se kjo skuadër është në formë të mirë në ndeshjet e fundit, por kam besim se do ta mposhtim Prishtinën”, ka thënë Cilina. Skuadra e Lirisë pas përfundimit të stinorit vjeshtor renditet në pozitën e pestë me 25 pikë të tubuara. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2609 |