Raiffeisen Superliga / Gjashtë ndeshje për tre ditë | ||||
|
Java e 19-të në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll do të jetë e shtrirë në tri ditë. Të shtunën zhvillohen dy, të dielën tri dhe të hënën një ndeshje. Kjo javë nis me ndeshjet në Skenderaj e Prizren. Drenica është sërish mikpritëse në stadiumin “Bajram Aliu”. Kësaj radhe kuqezinjtë e Skenderajt do të presin skuadrën kuqezi të kryeqytetit, Flamurtarin. Këto dy ekipe në javën e parë pësuan humbje në shtëpi dhe tash do tentojnë që të këndellën në këtë sfidë. Për Drenicën pa dyshim se alternativë e vetme mbetet fitorja, kurse për djelmoshat e Jusuf Tortoshit do të ishte i mirëseardhur edhe barazimi. Takimi tjetër i së shtunës është derbi i fqinjve, në mes të Lirisë dhe Ballkanit në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren. Liria qëllim të vetëm ka fitoren, pasi në javën e parë u gjunjëzua në Mitrovicë nga Trepça’89, derisa therandasit do të ndaheshin të kënaqur edhe me një pikë. Ndërkohë, të dielën në program janë tri ndeshje joshëse. Lideri i renditjes, Prishtina, synon të vazhdojë serinë e fitoreve në ballafaqim me Trepçën’89, derisa Hysi shpreson që mos të bëjë një tjetër hap fals në garën për titull, kur në Merdar do të luajë kundër KEK-ut. Rivalitet i madh pritet në “Shahin Haxhiislami”, ku Besa e pret skuadrën kampione në fuqi, Trepçën. Ndërkaq, java e 19-të përmbyllet me derbin e të rrezikuarve, Vëllaznimi-Ferizaj, që luhet të hënën në Pejë, pasi gjakovarët e kanë terrenin vendës të pezulluar.
E shtunë Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2763 |