Hysi / Genc Hoxha nuk dorëzohet nga gara për titull | ||||
|
Trajneri i Hysit, Genc Hoxha nuk e ka ndërmend të dorëzohet nga lufta për titull kampioni në Raiffeisen Superligë, edhe pse e nisi me humbje stinorin pranveror. Ai është i vetëdijshëm se në rast se Prishtina arrin ndonjë rezultat pozitiv të mërkurën në Skenderaj kundër Drenicës, atëherë do të jetë edhe më vështirë për t’u shkrirë epërsia e saj, e cila aktualisht është 6 pikë, por thotë se deri në fund të kampionatit gjërat mund të ndryshojnë. “Kemi pritur një nismë më të mirë, por nuk ia dolëm. Trepça ndali të tri pikët në Mitrovicë, edhe pse ne kishim epërsinë në rezultat dhe iniciativën në fushë. Tash duhet të shpresojmë që ndeshja në Skenderaj të përfundojë në favorin tonë, pra që Prishtina të mos i gëzohet fitores”, tha Hoxha. Ai ka besim te skuadra e tij dhe mendon se në javët në vazhdim do të tregojnë lojëra më të mira. “Skuadra ime ka potencial dhe sigurisht se këtë do ta dëshmojmë edhe në fushën e gjelbër. Duhet të harrojmë sa më shpejtë humbjen e pësuar në Mitrovicë dhe të përqendrohemi në sfidën e radhës kundër KEK-ut. Natyrisht do të mundohemi t’i evitojmë të gjitha gabimet e shfaqura në Mitrovicë, në mënyrë që të mos lejojmë një tjetër humbje, e cila do të ishte fatale në këtë pjesë të edicionit për ne”, shtoi Hoxha. Ai për ndeshjen e ardhshme kundër KEK-ut do të ketë në dispozicion edhe Enis Zabërxhën, Berat Hysenin dhe Samir Sahitin, të cilët munguan për shkak të kartonëve në sfidën e parë të pranverës. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3726 |