Haxhi Zeka: Gjyqtari na dëmtoj | ||||
|
Kapiteni i skuadrës së Besës, Haxhi Zeka, ka hedhur akuza në drejtim të gjyqtarit anësor për anulimin e golit të shënuar në pjesën e dytë të takimit në ndeshjen derbi të Javës së 21-të në mes të Trepçës dhe Besës. “Ka qenë një lojë e fortë. Kam pritur se do të ndikojë referimi, dhe ashtu doli. Skuadra e Trepçës na bëri një mikpritje të mirë, por gjyqtari anësor na dëmtoi, anuloi golin e shënuar. Unë isha aq i sigurt për pozicion të rregullt saqë festova golin për tre minuta. Ende jam i habitur për anulimin e golit”, ka thënë Haxhi Zeka, i cili ka lavdëruar gjyqtarin kryesor të ndeshjes. “Gjyqtari kryesor e ka drejtuar takimin për mrekulli, por sikur gjyqtari anësor të mos na dëmtonte, ne do t’i ishim afruar Trepçës vetëm në dy pikë”, ka shtuar ai. “Ikona” e skuadrës pejane është shprehur i kënaqur me rezultatet e arritura nga skuadra e tij në stinorin pranveror, ndërsa ka parashikuar se skuadra e Besës do të shpallet kampione. “Jemi duke luajtur mirë dhe diferenca e pikëve nuk është e madhe. Mendoj se jemi skuadra më favorite për t’u shpallur kampione”, ka shtuar Zeka. Pavarësisht se skuadra e Besës ka rikthyer në skuadër disa ish-futbollistë të “armatës” së vjetër, Haxhi Zeka vazhdon të mbetet lojtari kryesor i skuadrës edhe në këtë kampionat.
Veton Zymberi Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2848 |