Kosova/ Rainer Milkoreit premton ndihmë të vazhdueshme për FFK-në | ||||
|
Me ftesë të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, për vizitë në Kosovë po qëndron nënkryetari i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Dr. Rainer Milkoreit. Pas takimeve me kryetarin Vokrri dhe me ministrin e Sportit, Memli Krasniqi, sot në Shtëpinë e Sportit në Prishtinë u mbajt një konferencë për media, ku krahas dr. Milkoreit dhe kryetarit Vokrri ishin të pranishëm edhe legjenda e futbollit gjerman në vitet e 60 e 70-ta, Peter Ducke dhe bashkëadhetari ynë, Zija Shoshi, i cili e ka ndihmuar FFK-në në vënien e kontakteve me DFB-në. Fillimisht kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri ka përshëndetur delegacionin e Federatës gjermane dhe e ka falënderuar për mbështetjen e madhe që po i jep futbollit kosovar. “Para dy vitesh kam qenë në Gjermani dhe qysh atëherë kam marrë mbështetjen e drejtuesve të DFB-së. Bashkëpunimi i parë me federatën gjermane është jetësuar me mbajtjen e kursit për trajnimin e trajnerëve me licencën C të UEFA-s, që është shumë domethënëse për futbollin tonë. E kemi ftuar z. Milkoreit për vizitë për të parë nga afër zhvillimet e futbollit kosovar dhe ai ka pranuar me kënaqësi edhe ftesën tonë për pjesëmarrje në finalen e Kupës së Kosovës, ndërmjet Trepçës’89 dhe Ferizajt, që zhvillohet më 7 qershor. Shfrytëzoj rastin që në emër të gjitha klubeve dhe tërë punonjësve dhe dashamirëve të futbollit ta falënderoj z. Milkoreit dhe DFB-në për mbështetjen e madhe që po i japin Kosovës”, ka thënë Vokrri. Me këtë rast, kryetari i FFK-së ka ftuar të gjithë dashamirët e futbollit, veçmas tifozët e Trepçës’89 dhe ata të Ferizajt, që në ndeshjen finale të krijojnë një atmosferë sa më madhështore, por njëherësh të kenë kujdes në veprimet e tyre, ngase krahas z. Milkoreit në finale do të jetë i pranishëm edhe ish-këshilltari i presidentit të FIFA-s, Sep Blatter, Jerome Champagne. “Ftoj tifozët që në finale të jenë në numër sa më të madh, por njëkohësisht të krijojnë një atmosferë sportive dhe korrekte, për t’i dëshmuar tërë botës se vendimi i FIFA-s për lejimin e miqësoreve për Përfaqësuesen e Kosovës ishte i merituar”, ka shtuar Vokrri. Ndërkohë, nënkryetari i DFB-së, Rainer Milkoreit fillimisht e ka falënderuar kryetarin Vokrri për fjalët e ngrohta dhe është shprehur i entuziazmuar me dashurinë e madhe që ndjejnë kosovarët për futbollin. “Ne me kënaqësi e kemi pritur ftesën për t’iu ndihmuar në rrugën drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, kurse muajin e fundit e kemi pasur rezultatin e parë në këtë drejtim, pasi KE i FIFA-s vendosi që t’i lejojë Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore. Por, ne nuk do të ndalemi me kaq, por do të ndihmojmë në vazhdimësi në realizimin e miqësoreve dhe në rrugën për t’u bërë pjesë e këtyre dy asociacioneve”, ka theksuar dr. Milkoreit, për të vijuar: “Nuk kam ardhur këtu vetëm për ta thyer këtë status-quo, por për të parë nga afër gjendjen e zhvillimit të futbollit kosovar, si dhe të jem i pranishëm në përmbylljen e licencimit të trajnerëve. Ne jemi të lumtur që FIFA ka marrë vendimin për lejimin e miqësoreve dhe ky vendim do të fillojë të praktikohet së shpejti. Më 4 korrik do të takohet një rreth i ngushtë i drejtuesve të FIFA-s dhe aty do të fuqizohet vendimi për miqësoret”. Nënkryetari i DFB-së më tej ka thënë se përkundër faktit që FFK nuk është anëtare e UEFA-s e FIFA-s, federata gjermane ka shprehur dëshirën për ta ndihmuar atë, sidomos në shkollimin e kuadrove të reja. “Ky nuk do të jetë bashkëpunimi i fundit, por është një proces që do të vazhdojë. Më mjaftoi vetëm një orë qëndrimi në Kosovë për të parë se sa shumë e duan futbollin kosovarët. Kosova ka një popullatë të re dhe ajo duhet të orientohet në sport, përkatësisht në futboll. Po ashtu, apeloj te mediat që të kenë vlerësim pozitiv dhe ta ndihmojnë futbollin e Kosovës në këtë fazë. Personalisht do të mundohem me të gjitha forcat që ta shtyjë përpara procesin e anëtarësimit të FFK-së në UEFA e FIFA”, ka nënvizuar dr. Milkoreit. Në pyetjen e gazetarëve nëse Gjermania do të jetë e para që do të luajë miqësore me Kosovën, Milkoreit është shprehur: “Të gjithë e dinë se DFB është një federatë e madhe dhe vota e saj ka peshë të madhe. Me këtë rast dua të theksoj se pa votën e Gjermanisë nuk do të fitohej e drejta e Kosovës për miqësore. Edhe në takim me ministrin Krasniqi dhe me kryetarin e FFK-së Vokrri potencova se misioni im do të kompletohet atëherë kur të shohë duke luajtur në miqësore Gjermaninë dhe Kosovën”. Ndërkohë, Peter Ducke është shprehur i nderuar që ka mundësi ta ndihmojë futbollin kosovar dhe ka falënderuar vëllezërit Shoshi, që gjithmonë e kanë njoftuar për rrethanat dhe gjendjen në Kosovë. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 6512 |