Gani Sejdiu : Shqiperia taktikisht ishte me mire | ||||
|
Një nga strategët e njohur në futbollin tonë, Gani Sejdiu, ka thënë të enjten se përzgjedhja elitare e Shqipërisë, në ndeshjen ndaj përfaqësueses së Kosovës, taktikisht ka qenë më e mirë. Por, sipas tij, edhe përvoja ndërkombëtare ishte në anën e kuqezinjve. Përfaqësuesja e Kosovës të mërkurën ka humbur miqësoren ndaj përzgjedhjes elitare të Shqipërisë 2-3, takim ky i zhvilluar për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Sipas Sejdiut, kushtet në të cilat u zhvillua ndeshja kanë qenë të vështira, për faktin se terreni ishte përplot baltë. “Në kushtet në të cilat është zhvilluar ndeshja, në terren me baltë, është vështirë të jem realist në vlerësimin e lojës. Megjithatë, u pa se ekipi i Shqipërisë ka përvojë ndërkombëtare, kurse në përfaqësuesen tonë futbollistët më shumë luanin lojën individuale, sidomos në pjesën e dytë, që kërkonin të tregohen të mirë vetëm individualisht”, ka thënë Sejdiu.
Bunajku do të krijojë një përfaqësuese të denjë
Pavarësisht humbjes së përfaqësueses së Kosovës, trajneri Gani Sejdiu e vlerëson lart punën që bën përzgjedhësi Albert Bunjaku. Ai thotë se puna e Bunjakut do të mund të shihet në një të ardhme të afërt. “Ishte ndeshja e parë që përfaqësuesja e Kosovës luan në urdhrat e përzgjedhësit Albert Bunjaku. Është herët të thuhet nëse Bunjaku ka futur në përfaqësuesen tonë frymë të re, mirëpo diçka pozitive është punuar në këtë drejtim. Jam i bindur se me punën që bën Bunjaku, në një të ardhme të afërt ne do të kemi një përfaqësuese të denjë”, ka theksuar Sejdiu.
Kosova, skuadër e denjë në rajon
Ish-trajneri i disa skuadrave elitare të Kosovës, Gani Sejdiu, është optimist se Kosova ka fuqi të krijojë një skuadër të denjë për garat ndërkombëtare. Ai pohon se përfaqësuesja e Kosovës në futbollin e rajonit do të jetë skuadër e denjë. “Duke u bazuar në futbollistët e Kosovës, që luajnë në skuadrat e huaja, por pa harruar edhe potencialin që kemi brenda Kosovës, besoj se Kosova ka fuqi të krijojë një skuadër shumë të mirë për garat ndërkombëtare, veçmas në futbollin ballkanik. Ne duhet të kemi durim, për faktin se futbolli është një proces që zgjat shumë dhe që kërkohet punë e madhe e profesionale, por besoj se kemi potencial të bëjmë një ekip që mund të garojmë denjësisht në futbollin ndërkombëtar”, ka përfunduar Sejdiu.
Fatmir Bytyçi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3793 |