Gjermani/ Altin Lala, “Lamtumira më e madhe e të gjitha kohëve” për Hanoverin! | ||
|
Ish-kapiteni, shqiptar, Altin Lala do të përcillet këtë të shtunë nga tifozët dhe shokët e skuadrës, do të thotë “lamtumirë” pas 14-vitesh të jetuara me pasionin më të madh, 14-vite të cilave ai u ka shijuar çdo sekondë, edhe kur ka qenë kohë për të vuajtur. Gazeta më e madhe e Gjermanisë, “Bild” nuk ka dyshime dhe e quan ikjen e Lalës “lamtumira më e madhe e të gjitha kohëve” për Hanoverin. Ish-kapiteni do të mbajë për herë të fundit fanelën me numrin 8, ndërsa në arenën e Hanoverit mik do të jetë Kaizerslautern. Mesfushori 36-vjeçar debutoi me fanelën e kuqe më 30-korrik 1998 në fitoren 2-1 ndaj Karlsruhes, në një ndeshje ku pati në krah një kampion të botës, pikërisht Guid Buhvaldin. Presidenti i Hanoverit, Martin Kind, thotë për të: “Altini ka fituar në jetë çdo gjë të kësaj bote, ai është një pasuri e vërtetë për Hanoverin si lojtar dhe si njeri dhe unë jam i bindur se ai do të vazhdojë të ketë sukses në jetë”. Pas Hanoverit, Lala do të shkojë për një vit të paktën tek Bajerni i Mynihut, ku do të ketë rol në fushë, por besohet edhe në staf tek skuadra e amatorëve, aty ku farkëtohen talentet bavarezë të së ardhmes. Ish-emigranti shqiptar, që shkoi vetëm dhe në mënyrë ilegale në Gjermaninë e madhe dhe të huaj, mund të jetë krenar. Ai ka përshkruar një rrugë të gjatë, ka pasur sukses dhe është bërë shembull që mund të ndihmojë çdo bashkëkombas të tij. |