Ne fokus/ Dorëhiqet Arben Rakipi, Komiteti, gjuhë dhunuesish!
nga AlbaniaSoccer   E shtunë, 03 Mars 2012 11:13   Shtyp

fshf_stadiumi_640668370Akuzat e forta të bëra nga Komiteti Ekzekutiv i kryesuar nga presidenti Armand Duka, për shkak të një vendimi pro klubeve të Flamurtarit dhe Pogradeci, kanë çuar në dorëheqjen e kryetarit të Komisionit të Apelit Arben Rakipi. Në një letër për mediat, Ish-Kryeprokurori i Republikës ka akuzuar drejtuesit e Federatës si njerëz të mësuar me dhunën në stadiume, me gjykimet e manipuluara dhe me një edukatë të ulët qytetare.

Më poshtë një pjesë e letrës së zotit Rakipi:

“Në opinionin tim, deklarata është në përputhje të plotë me edukatën e dhunës së injektuar për t’u përdorur në stadiumet tona prej vitesh të tëra, me ndeshjet e trukuara që piketojnë fituesit e aktiviteteve ende pa filluar ai, me gjykimet e manipuluara që dukshëm konstatohen në ndeshjet e kampionatit tonë, edhe përgjatë trajtimit të shkeljeve, e denjë për edukatën qytetare të dhunuesve dhe manipuluesve që forcërisht bëjnë ligjin në fushat e futbollit.

“Unë nuk jam mësuar të përdor gjuhë dhe zakone të tilla, prandaj distancohem prej nivelit të dhunuesve dhe manipuluesve, që forcërisht bëjnë ligjin në fushat e futbollit, - shkruan Arben Rakipi në letrën e tij. - Pas njohjes me deklaratën tuaj, përtej çudisë që vjen prej nxitimit të publikimit të saj ende pa lexuar përmbajtjen e vendimeve tona, përtej pavërtetësisë, edukatës së ulët dhe mosmirënjohjes shembullore që e karakterizon atë, shoh përmbajtjen e saj në raport me vendimet tona dhe, konstatoj që mospërputhja e qëllimeve të ushtrimit të detyrave përkatëse janë evidente. Nuk do të shkel më në atë derë”, e përfundon deklaratën ish-kryeprokurori.

Krejtësisht pa konsideratë, Arben Rakipi

Burime nga FSHF bëjnë të ditur se edhe nëse nuk do të ishte dorëhequr, Arben Rakipi do të shkarkohej në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv. Për informacion, Federata Shqiptare e Futbollit është e vetmja, ku anëtarët e komisioneve juridike zgjidhen nga Komiteti Ekzekutiv dhe jo nga Asambleja. Duka e quan këtë konform rregullave të UEFA-s, por kjo e fundit nuk është federatë anëtare, por një institucion mbi palët.

@Albaniasoccer.com

komente
 
jFinalizer Error 401: asset file not found: /templates/rhuk_milkyway/css/template.css
hide