Tirana/ Gati apeli për çështjen Morina | ||
|
Paanshmëria është një koncept që lidhet pazgjidhshmërisht me parimin e ligjshmërinë, e barazisë përpara ligjit, kontradiktorialitetin etj; parime të shkelmuara dhe shkallmuara në mënyrë flagrante, të pashembullt dhe demonstrative nga ky organ i drejtësisë sportive. Ky proces, i cili për nga natyra dhe forma ka qenë tërësisht një farsë, na bën të kemi dyshime serioze mbi profesionalizmin e trupës gjykuese dhe ç’është më e keqja, mbi integritetin profesional të secilit anëtar. Asnjë veprim nuk u krye në mbështetje me legjislacionin vendas sportiv apo civil. Asnjë provë nuk u administrua konform ligjeve në fuqi. Asnjë qendrim nuk ishte i denjë për një organ që vendos drejtësinë. Në kushtet kur, një lojtar me efekte të plotë i Klubit të Futbollit Tirana braktis, përdhos, denigron fanellën e klubit më të titulluar në Shqipëri, organet juridike të Federatës Shqiptare të Futbollit duhet të ndërmerrnin të gjitha veprimet e duhura procedurale për ndëshkimin e subjekteve pjesëmarrës në këtë akt, qofshin lojtar apo klube; dhe jo të përkrahnin paligjshmërinë. Përkrahja e paligjshmërisë është një veprim që na bën të mendojmë se vendimi i ditës së djeshme të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve ka qenë i paramenduar dhe i paracaktuar gjetkë. Klubi i Futbollit Tirana deklaron se do të ndërmarrë të gjitha hapat e duhura procedurale për rivendosjen e të drejtave të cënuara nga Dhoma Kombëtare e “Nxitjes” së Konflikteve, duke kërkuar prishjen e këtij vendimi dhe ndëshkimin disiplinor të lojtarit dhe të palëve të tjera. Deklarojmë se asgjë nuk ka përfunduar përderisa besojmë ende në arsye, në ligjshmëri dhe në drejtësi. |