Naser Sahiti: Gjilani i duron temperaturat
Mbrojtesi i Gjilanit, optimist per te ardhme pozitive
“Do të jetë shumë nxehtë në pranverë, por jo edhe për ne. Gjilani ka skuadër për Superligë, e jo për Ligë të Parë. Me përforcimet që do të vijnë në këtë afat kalimtar, ne do të jemi në pjesën e sipërme të tabelës në përfundim të kampionatit”, ka thënë mbrojtësi i Gjilanit, Naser Sahiti
Nga Veton Zymberi
Prishtinë, 20 nëntor - Skuadra e Gjilanit pas katërmbëdhjetë xhirove të zhvilluara në Raiffeisen Superligën e Kosovës në Futboll ka arritur që t’i grumbullojë 21 pikë dhe të renditet në pozitën e pestë në renditjen tabelore.
Mbrojtësi i Gjilanit, Naser Sahiti, ka thënë se pozita aktuale në të cilën renditet skuadra e Gjilanit nuk është reale. Ai mendon se fati në njërën anë dhe arbritrat në anën tjetër e kanë penguar skuadrën e tij që të ketë rezultate më të favorshme.
“Nuk është pozitë për t’u kënaqur me të, pasi kemi treguar lojëra të mira. Por fati dhe arbritrat kanë qenë pengesë të rezultateve. Me arritjen e disa përforcimeve në afatin kalimtar të dimrit, skuadra e Gjilanit do të jetë më e frikshme në pranverë”, ka thënë Sahiti.
Ish-mbrojtësin e skuadrës së Besës nga Peja, Naser Sahitin, nuk e frikëson aspak lufta e ashpër që do të zhvillohet për mbijetesë në stinorin pranveror. Ai mendon se skuadra e tij nuk e ka atë problem, madje, sipas mbrojtësit shtatlartë, Gjilani do të jetë në pjesën e epërme të tabelës.
“Do të jetë shumë nxehtë në pranverë, por jo edhe për ne. Gjilani ka skuadër për Superligë, jo për ligë të parë. Me përforcimet që do të vijnë në këtë afat kalimtar, ne do të jemi në pjesën e sipërme të tabelës në përfundim të kampionatit”, ka shtuar Sahiti.
Vushtrriasit do të ndalen në Gjilan
Djelmoshat e Muharrem Sahitit kanë barazuar në fund në takimin e Javës së Trembëdhjetë, kundër skuadrës së Trepçës ’89. Dhe shtylla e mbrojtjes në skuadrën e Gjilanit, Naser Sahiti, e ka vlerësuar lart skuadrën e Kosovës, por beson se në këtë takim skuadra e tij do të dalë fitimtare.
“Vushtrriasit po luajnë mirë. Por ne jemi të përgatitur që të shënojmë fitore. Trepikëshi për ne do të thotë shumë, pasi që do të bëjmë një pushim me të qetë në pozitën e katërt në renditjen tabelore”, ka thënë ai.



del.icio.us
Digg
Technorati
Publikoni komentin tuaj